Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë deklarata të forta nga foltorja e Kuvendit, duke pretenduar se ekzistojnë video komprometuese ku, sipas tij, Ergys Agasi shfaqet me përfaqësues të mazhorancës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha solli në vëmendje edhe videot private të kompozitorit Adrian Hila, të cilat kanë qenë në qendër të diskutimeve mediatike ditët e fundit. Ai pretendoi se materialet që lidhen me Agasin janë shumë më të rënda.
“Ato videot e Adi Hilës, ato janë lule krahasuar me çfarë janë videot e Gys Agasit me ju. Po, po, videot e Gys Agasit me ju janë turpi i turpeve të njerëzimit. Dhe do dalin, po, po…”, deklaroi Berisha nga foltorja e Kuvendit.
Më tej, lideri i opozitës iu drejtua drejtpërdrejt deputetëve të mazhorancës, duke lënë të kuptohet se disa prej tyre mund të jenë të përfshirë në materialet që ai pretendon se ekzistojnë.
“Mos qeshni, se jeni aty (në video). Arkiva juaj e krimit nuk ka fund, ndaj dhe ju doni të shkelmoni Kushtetutën”, u shpreh ai.
Deklaratat vijnë në një kohë kur emri i Ergys Agasit është përmendur në raportime dhe akuza të ndryshme publike, përfshirë pretendime për regjistrime audio dhe video që lidhen me zyrën e tij.
Megjithatë, gjatë fjalës së tij, Berisha nuk identifikoi me emra konkretë ministrat për të cilët foli dhe nuk paraqiti prova që të vërtetonin ekzistencën apo përmbajtjen e videove të pretenduara. Ai gjithashtu nuk dha detaje se kur apo në çfarë rrethanash këto materiale mund të bëhen publike.




