Aksidentohet gazetarja e “Fiks Fare” pas denoncimit të Belinda Ballukut, raportohet për fraktura...

Aksidentohet gazetarja e “Fiks Fare” pas denoncimit të Belinda Ballukut, raportohet për fraktura...

Gazetarja e emisionit investigativ “Fiks Fare”, Kamila Xhakaj, raportohet se është përfshirë në një aksident të rëndë me motor, pas të cilit është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Sipas një raportimi të publikuar nga portali “Prapaskena”, gazetarja ka pësuar fraktura në gjymtyrë. Deri më tani, megjithatë, nuk janë bërë publike detaje të plota mbi rrethanat e aksidentit apo gjendjen e saj aktuale shëndetësore.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen është koha kur raportohet se ka ndodhur ngjarja. Sipas raportimit, aksidenti ka ndodhur vetëm pak orë përpara transmetimit të një materiali të “Fiks Fare”, ku Xhakaj shfaqej duke iu drejtuar me mikrofon ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në pamjet e emisionit, gazetarja i drejtonte Ballukut pyetje lidhur me pretendime dhe akuza të ngritura në hapësirën publike, duke kërkuar një përgjigje prej saj.

Ndërkohë, “Prapaskena” ka ngritur pikëpyetje mbi kohën e aksidentit, duke aluduar për një lidhje të mundshme me aktivitetin investigativ të gazetares. Megjithatë, deri në këtë moment, nuk janë paraqitur prova që të tregojnë se ngjarja ka qenë e qëllimshme apo se ka lidhje me Ballukun dhe materialin e transmetuar.

Për këtë arsye, çdo pretendim për një lidhje mes aksidentit dhe punës së saj gazetareske mbetet i pakonfirmuar.

Kamila Xhakaj ka qenë më herët pjesë e emisionit investigativ “Piranjat”, ndërsa së fundmi iu bashkua ekipit të “Fiks Fare” në Top Channel.

Pritet të mësohen më shumë detaje mbi rrethanat e aksidentit dhe gjendjen shëndetësore të gazetares.