Selin Bollati dhe DJ Gimbo kanë dhënë intervistën e tyre të parë televizive si çift pas përfundimit të “Big Brother VIP Albania 5”, duke ndarë detaje të sinqerta për historinë e tyre të dashurisë dhe planet që i bashkojnë.
Të ftuar në emisionin “Wake Up”, dyshja folën jo vetëm për projektin e tyre muzikor “DJ Remix”, por edhe për mënyrën se si po e ndërtojnë marrëdhënien, larg presionit dhe ekspozimit të tepërt në rrjetet sociale.
Kur u pyetën se kush është më romantik dhe më xheloz, Selin pranoi se nuk e konsideron veten një person xheloz, ndërsa zbuloi se Gimbo di ta shprehë dashurinë me gjeste të vogla, por domethënëse, si përgatitja e kafes së mëngjesit.
Çifti foli me humor edhe për debatet mes tyre, duke treguar se të dy dinë të kërkojnë falje kur gabojnë. Megjithatë, sipas Selinit, Gimbos i duhet pak më shumë kohë për ta pranuar gabimin, edhe kur e di se është në faj.
Një nga momentet më interesante të intervistës ishte diskutimi mbi ekspozimin publik të lidhjes. Selin theksoi se kanë zgjedhur me vetëdije të mos publikojnë çdo moment të jetës së tyre, pasi besojnë se një ekspozim i tepërt mund të dëmtojë marrëdhënien.
“Jemi munduar të mos postojmë dhe të mos jemi kaq të ekspozuar në media. Kam parë çifte që kanë arritur në një pikë ku funksionojnë më shumë për botën sesa për njëri-tjetrin. Jo çdo gjë që postojmë është realisht ajo që jetojmë”, u shpreh ajo.
Në përfundim, Selin Bollati dhe DJ Gimbo lanë të kuptohet se po e shijojnë këtë periudhë të bukur të lidhjes, duke u fokusuar te dashuria dhe projektet e përbashkëta, pa u nxituar për hapa të tjerë në jetën personale.




