“Fiks Fare” do të rikthehet në sezonin e ri televiziv me një identitet krejtësisht të ri vizual, duke surprizuar publikun me ndryshimin e pamjes pas shumë vitesh.
Programi investigativ i Top Channel ka prezantuar logon e re, e cila ndryshon dukshëm nga ajo që shikuesit janë mësuar të shohin ndër vite.
Logoja e vjetër, e dallueshme për ngjyrat e forta dhe elementet grafike rrethore, tashmë i ka lënë vendin një dizajni më minimalist dhe modern.
Në versionin e ri, emri “Fiks Fare” shfaqet me germa të bardha mbi një sfond të errët, me nuanca jeshile dhe blu, duke i dhënë programit një pamje më bashkëkohore.
Por ndryshimi nuk mbaron vetëm me logon.
Krahas identitetit të ri vizual është prezantuar edhe slogani:
“I njëjti Fiks / Tjetër kënd”
Një mesazh që lë të kuptohet se, pavarësisht ndryshimit në pamje dhe mënyrën e prezantimit, programi do të vijojë të ruajë fokusin investigativ që e ka karakterizuar prej vitesh.
Pamja e re e “Fiks Fare” është shpërndarë gjithashtu nga Sara Hoxha në Instagram, pak para nisjes së sezonit të ri televiziv të Top Channel.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse ndryshimi vizual do të jetë vetëm fillimi dhe nëse sezoni i ri do të sjellë edhe surpriza të tjera për publikun.




