Françeska Murati ka folur hapur për herë të parë për marrëdhënien me ish-partnerin, babain e djalit të saj, duke konfirmuar se historia e tyre si çift ka përfunduar prej kohësh.
E ftuar në “Ftesë në 5”, Françeska sqaroi aludimet që kanë qarkulluar kohët e fundit për jetën e saj private, duke treguar se ndarja ka ndodhur shumë kohë më parë, por raporti mes tyre ka mbetur shumë i mirë.
“Për ta thënë një herë e mirë, ne jemi ndarë. Kemi një kohë të gjatë që jemi ndarë”, u shpreh ajo.
Françeska tregoi se me ish-partnerin njihen që prej moshës 15-vjeçare dhe se, pavarësisht ndarjes, ata vazhdojnë të kenë dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin në formën e miqësisë.
“Ne jemi ‘best friends’, sepse jemi rritur bashkë”, tha ajo, duke e cilësuar babain e djalit të saj si “një njeri fantastik”.
Ajo hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se ndarja mund të ketë ardhur si pasojë e pjesëmarrjes së saj në “Big Brother VIP”, duke i cilësuar këto aludime si të pavërteta. Françeska tregoi se takohet çdo ditë me ish-partnerin, ndërsa edhe familjet e tyre vijojnë të kenë marrëdhënie të mira.
Sa i përket arsyes pse nuk e kishte bërë publike ndarjen më herët, ajo shpjegoi se ish-partneri i saj nuk është personazh publik dhe nuk ka zgjedhur të jetë pjesë e vëmendjes mediatike.
Françeska foli edhe për zërat se në jetën e saj mund të kishte hyrë një person i ri. Ajo sqaroi se një fotografi që kishte nxitur dyshimet për një lidhje të re ishte e manipuluar.
“Ajo është bërë me Photoshop”, deklaroi Murati, duke shtuar se fotografitë e saj janë modifikuar në disa raste edhe përmes inteligjencës artificiale. Sipas saj, në fotografinë konkrete ajo ndodhej me një shoqe, ndërsa në imazh ishte shtuar një element që nuk ekzistonte në fotografinë origjinale.
Ish-banorja e “Big Brother VIP” pranoi se është lodhur nga lajmet dhe aludimet e vazhdueshme për jetën e saj sentimentale, duke theksuar se nuk mund të kalojë gjithë kohën duke përgënjeshtruar çdo pretendim që shfaqet në rrjetet sociale.
“Unë jam njeri privat, jo sekret”, përfundoi Françeska.




