Sezoni i ri i “Përputhen” ka nisur sot dhe që në minutat e para të spektaklit, moderatorja Heidi Baci ka bërë të qartë se këtë sezon konkurrentët do të përballen me rregulla strikte gjatë qëndrimit në program.
Heidi ndërpreu për pak çaste rrjedhën e spektaklit për të bërë atë që e cilësoi si një “njoftim zyrtar”, drejtuar publikut, por veçanërisht kastit të ri të programit.
“Është momenti të bëj një njoftim dhe është momenti për të qenë pak serioz, sepse është një njoftim zyrtar. Me ndihmën e regjisë, në emër të ‘Përputhen’, ky njoftim është për ju në studio, shikuesit, por kryesisht për kastin. Uroj të jenë të vëmendshëm”, tha moderatorja.
Duke theksuar se programi transmetohet pesë ditë në javë, Heidi bëri të ditur se këtë sezon janë vendosur kufij të qartë dhe të panegociueshëm për sjelljen e konkurrentëve në studio.
“Pikërisht për shkak të përgjegjësisë që mbart ky program ndaj publikut, këtë sezon vendosen rregulla të qarta dhe të panegociueshme”, deklaroi ajo.
Ndër rregullat e bëra publike është ndalimi i gjuhës së papërshtatshme televizive, përfshirë shprehjet fyese apo degraduese.
Gjithashtu, sipas njoftimit, dhuna në çdo formë nuk do të tolerohet, as veprime që mund të konsiderohen si promovim i saj.
Rregullat lidhen edhe me përmbajtjen e transmetuar gjatë fashës orare të programit, duke ndaluar skenat e papërshtatshme për orarin televiziv.
Një pjesë e veçantë e njoftimit iu kushtua edhe autoritetit të moderatores në studio. Konkurrentëve dhe opinionistëve iu kërkua të respektojnë ndërhyrjet, udhëzimet dhe vendimet e Heidi Bacit gjatë transmetimit.
“Fjala e moderatores së spektaklit respektohet nga të gjithë. Konkurrentët dhe opinionistët janë të detyruar të respektojnë ndërhyrjet, udhëzimet dhe vendimet e moderatores gjatë transmetimit. Nuk negociohet autoriteti i moderatores në studio”, thuhej në njoftimin e lexuar prej saj.
Kështu, “Përputhen” e ka nisur sezonin e ri me një mesazh të qartë për kastin, duke përcaktuar që në ditën e parë rregullat dhe kufijtë që duhet të respektohen gjatë transmetimit.




