Vizion Plus duket se po përgatitet për një riformatim të madh në sezonin e ri televiziv, me ndryshime që pritet të prekin jo vetëm programacionin, por edhe figurat që do të shfaqen në ekran.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Prive By Liberta Spahiu”, televizionin e presin lëvizje të rëndësishme, ndërsa një burim është shprehur se “thuajse askush nga të vjetrit nuk është i sigurt” dhe se ndryshimet pritet të jenë rrënjësore.
Në planet e reja të televizionit duket se do të përfshihen edhe disa prej personazheve që u bënë të njohur gjatë edicionit të fundit të “Ferma VIP”.
Një prej emrave që përmendet konkretisht është Kostana Morava. Sipas burimeve, gazetarja pritet të ketë emisionin e saj në Vizion Plus, ndërsa ajo mund të mos jetë e vetmja ish-konkurrente e “Ferma VIP” që do të marrë një hapësirë të re televizive.
Ndryshimet duket se nuk do të ndalen vetëm te moderatorët dhe programet. Sipas raportimeve, lëvizje janë bërë edhe në strukturat drejtuese të Vizion Plus, në kuadër të një riorganizimi që pritet të reflektohet më pas edhe në skemën e re programore.
Sipas informacioneve që qarkullojnë, drejtuesit synojnë që Vizion Plus të forcojë ndjeshëm pozicionin në treg dhe të hyjë më fuqishëm në garën për audiencën gjatë sezonit të ri, duke synuar konkurrencë të drejtpërdrejtë me Top Channel dhe TV Klan.
Ndërkohë, ditët e fundit është përfolur edhe Bora Zemani për një kalim të mundshëm në Vizion Plus. Sipas aludimeve, moderatores mund t’i besohet drejtimi i “Ferma VIP Club”, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar.
Për momentin, skema e re programore dhe emrat e tjerë që mund t’i bashkohen televizionit po mbahen ende të fshehtë.
Me afrimin e sezonit të ri pritet të zbulohet se cilët emra do të qëndrojnë, kush do të largohet dhe cilat figura të reja do të shfaqen në ekran, duke treguar edhe sa i madh do të jetë ndryshimi që po përgatit Vizion Plus.




