Sezoni i ri televiziv pritet të sjellë një ndryshim të madh për adhuruesit e reality-show, pasi për herë të parë tre formatet më të ndjekura në hapësirën shqiptare mund të transmetohen në të njëjtën periudhë.
Prej javësh po flitet për rikthimin e Big Brother VIP Kosova me sezonin e pestë, ndërsa në rrjet kanë nisur të qarkullojnë edhe emra të ndryshëm si pjesë e mundshme e kastit. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për banorët.
Sipas burimeve të Prive by Liberta Spahiu, surpriza më e madhe lidhet me Ferma VIP, e cila këtë herë nuk pritet të nisë në muajin mars, si në sezonet e kaluara. Burimet bëjnë me dije se produksioni synon ta sjellë formatin që në muajin tetor.
Nëse ky plan realizohet, Ferma VIP do të transmetohet paralelisht me Big Brother VIP Kosova, ndërsa më vonë do të përkojë për një periudhë edhe me Big Brother VIP Albania 6, i cili, sipas pritshmërive, pritet të nisë në dhjetor.
Pak ditë më parë, producenti Eraldo Rexho dhe producentja ekzekutive Holta Dulaku u kërkuan ndjekësve në rrjetet sociale të sugjeronin emrat që dëshirojnë të shohin në sezonin e katërt të Ferma VIP, duke shtuar edhe më shumë zërat se përgatitjet për edicionin e ri kanë nisur.
Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, ende nuk është vendosur se kush do ta drejtojë formatin. Në javët e fundit është përfolur edhe e ardhmja e Arbana Osmanit në Ferma VIP, por deri tani produksioni nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për moderatorin ose moderatoren e sezonit të ri.




