Xhensila Myrtezaj ka festuar së fundmi 33-vjetorin e lindjes në një periudhë të re të jetës së saj, pas ndryshimeve të mëdha personale, përfshirë ndarjen nga Bes Kallaku.
Këtë herë, ndryshe nga festat e mëparshme, ajo zgjodhi një mënyrë më intime për ta shënuar këtë ditë, duke e kaluar fillimisht në një ambient privat me fëmijët e saj. Në rrjetet sociale, artistja ndau edhe një mesazh domethënës, duke e cilësuar këtë moshë si një fillim të ri dhe një moment reflektimi.
Megjithatë, vëmendja e publikut u zhvendos shpejt te një tjetër zhvillim që lidhet me jetën e saj personale. Prej kohësh kanë qarkulluar thashetheme për një afrimitet mes saj dhe Ledri Vula, dhe së fundmi disa pamje të publikuara nga një klub nate në Paris i kanë shtuar këto dyshime. Në to, dy artistët shihen shumë pranë njëri-tjetrit, duke shkëmbyer momente intime.


Këto pamje vijnë në një moment kur të dy kanë mbyllur kapituj të rëndësishëm në jetën e tyre personale, Xhensila pas divorcit dhe Ledri pas ndarjes nga Sara Hoxha.
Më herët, të dy e kishin përshkruar raportin e tyre si miqësi dhe bashkëpunim profesional, duke mohuar çdo lidhje romantike. Por, pamjet e fundit duket se kanë ndryshuar perceptimin e publikut.
Në një intervistë të fundit, Xhensila foli edhe për arsyet e ndarjes nga Bes Kallaku, duke theksuar mungesën e komunikimit si një faktor kyç.
Me zhvillimet e fundit, fansat po spekulojnë se këngëtarja mund të ketë nisur një kapitull të ri në jetën e saj, këtë herë në krah të reperit të njohur.




