Alketa Vejsiu ka reaguar publikisht pas tensioneve dhe përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në Tiranë, duke përcjellë një mesazh përmes rrjeteve sociale që bën thirrje për bashkim dhe shmangie të përçarjes mes shqiptarëve.
Moderatorja e njohur ka theksuar se, pavarësisht bindjeve politike dhe qëndrimeve të ndryshme, Shqipëria nuk i përket asnjë qeverie apo partie politike, por të gjithë qytetarëve të saj.
Në një moment kur kryeqyteti po përjeton protesta dhe ndërhyrje policore, Alketa ka zgjedhur të vërë theksin te rreziku i përplasjeve mes vetë shqiptarëve, duke bërë thirrje për më shumë mirëkuptim.
“Jo shqiptarët kundër shqiptarëve! Mos!”, shkruan ajo në mesazhin e saj.
Më tej, moderatorja pranon se qytetarët mund të kenë mendime të ndryshme për qeverinë, opozitën, mënyrën e drejtimit të vendit apo edhe për vetë protestat.
“Mund të kemi bindje të ndryshme. Mund të mos pajtohemi për qeverinë, për opozitën, për mënyrën si drejtohet vendi apo për mënyrën si protestohet.
Por Shqipëria nuk i përket një qeverie, një partie, një proteste apo një brezi. Shqipëria na përket të gjithëve. Shqipëria është e shqiptarëve!
Na mbro, o Zot!”, përfundon mesazhi i Alketës.

Reagimi i saj vjen në një kohë kur protestat në Tiranë dhe përplasjet mes qytetarëve dhe policisë kanë nxitur reagime të shumta publike. Mesazhi i moderatores fokusohet te uniteti kombëtar dhe ideja se dallimet politike nuk duhet të kthehen në përçarje mes shqiptarëve.




