Taulant Balla tha se e njeh personalisht Erjon Vishkullin, por dalin komentet e vjetra të 28-vjeçarit ndaj deputetit (FOTO)

Taulant Balla tha se e njeh personalisht Erjon Vishkullin, por dalin komentet e vjetra të 28-vjeçarit ndaj deputetit (FOTO)

Deputeti socialist Taulant Balla ka deklaruar se e njeh personalisht Erjon Vishkullin, 28-vjeçarin që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Megjithatë, komente të mëparshme të publikuara në rrjetet sociale tregojnë se i riu kishte përdorur gjuhë fyese ndaj deputetit.

Në një reagim në Facebook, Balla i ka uruar shërim të shpejtë Vishkullit, duke theksuar se njeh edhe familjen e tij, e cila merret me prodhimin e vajit të ullirit në Elbasan.

“Erjon Vishkullin e njoh personalisht dhe uroj të bëhet mirë. Një familje e shkëlqyer dhe fermerë prodhues të një vaji ulliri cilësor”, shkroi deputeti socialist.

Në të njëjtin reagim, Balla e përshkroi 28-vjeçarin edhe si një tifoz të njohur futbolli, të lidhur me AF Elbasanin dhe grupimin “Tifozat Kuq e Zi”.

Por, sipas një verifikimi të publikuar nga Piranjat News, në postimet e mëparshme të deputetit në Facebook janë gjetur komente të shkruara nga Vishkulli, në të cilat ai përdorte shprehje fyese ndaj Ballës.

Në njërin prej komenteve, i riu shkruante: “Fole ti o ku*v qe nuk te do as shtepia jote”.

Ndërsa në një tjetër postim, ku Balla shfaqej pranë selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Vishkulli kishte komentuar: “O tao o GOJORS”.

Publikimi i këtyre komenteve ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale, pasi ato tregojnë një qëndrim kritik dhe fyes të 28-vjeçarit ndaj deputetit socialist, pavarësisht deklaratës së këtij të fundit se e njeh personalisht atë dhe familjen e tij.

Komentet e vjetra kanë rikthyer në vëmendje marrëdhënien mes dy personazheve, në një kohë kur plagosja e Erjon Vishkullit gjatë protestës vijon të jetë në qendër të debatit publik.