Po vjen bashkëpunimi! Mimoza Ahmeti dhe Bujaka zbulojnë detaje nga projekti...

"Ferma Vip"- Vizion Plus
"Ferma Vip"- Vizion Plus

Mimoza Ahmeti ka zbuluar se është gati të rikthehet me projekte të reja, duke konfirmuar se po punon për një bashkëpunim muzikor me Bujakën, ndërsa ka në plan edhe një platformë online për të sjellë më pranë publikut krijimtarinë e saj letrare.

E ftuar në “Aldo Morning Show”, poetja u shpreh se shpesh është komentuar më shumë për deklaratat publike sesa për veprat e saj, ndaj po punon për krijimin e një faqeje online, ku librat e saj do të jenë të disponueshëm në format elektronik.

“Jam në përpjekje me një uebsajt që m’u ofrua falas nga jashtë, ku do të fus të gjitha botimet e mia dhe do t’i kaloj në shitje elektronike, që lexuesit t’i aksesojnë lirshëm,” tha Ahmeti.

Por surpriza nuk mbaron me kaq. Mimoza Ahmeti konfirmoi se bashkë me Bujakën po finalizojnë një këngë të re dhe se projekti mund të pasohet edhe nga bashkëpunime të tjera.

“Tani po bëj një këngë me Bujakën, kemi bërë provën e parë në Durrës dhe u kënaqëm shumë. Jemi duke mbyllur edhe videoklipin, pastaj do të shohim mos bëjmë edhe nja dy këngë të tjera,” u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, edhe Bujaka ka folur për projektin, duke bërë të ditur se shumë shpejt do të zbulojë më shumë detaje rreth mënyrës se si lindi bashkëpunimi, procesit të realizimit të këngës dhe xhirimeve të videoklipit.

Në fund të intervistës, Mimoza Ahmeti ndau edhe filozofinë e saj mbi artin, duke theksuar se vlera e një artisti matet me veprën që lë pas.

“Problemi del në vepër. Veprat e mëdha janë vepra intime dhe nuk godasin grupe, persona apo individë të caktuar,” përfundoi ajo.

Me këngën e re dhe planet për projekte të tjera muzikore, duket se bashkëpunimi mes Mimoza Ahmetit dhe Bujakës sapo ka nisur.