Përplasja në Vuno, Arjan Konomi tregon çfarë ndodhi me Ramën: “Maskara, arrestojeni!” – VIDEO

Përplasja në Vuno, Arjan Konomi tregon çfarë ndodhi me Ramën: “Maskara, arrestojeni!” – VIDEO

Arjan Konomi ka rrëfyer në rrjetet sociale një incident që, sipas versionit të tij, ka ndodhur me kryeministrin Edi RamaVuno, pas së cilit ai thotë se është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Himarës.

Përmes një videoje të publikuar në Instagram, pasi kishte dalë nga komisariati, Konomi ka treguar versionin e tij për përplasjen me kryeministrin, duke nisur nga një debat për parkimin dhe gjobat ndaj automjeteve në fshat.

Instagram Reel
DcRR7HsNaiD

Sipas Konomit, gjatë mëngjesit policia kishte vendosur gjoba ndaj automjeteve të parkuara në Vuno, gjë që kishte shkaktuar pakënaqësi tek banorët.

Më vonë, teksa po kthehej pasi kishte dalë për të mbledhur fiq, ai thotë se ka parë Edi Ramën dhe eskortën e tij pranë një lokali në Vuno.

Konomi pretendon se automjetet e eskortës ishin parkuar në një zonë ku parkimi nuk lejohej. Në këtë moment, sipas tij, ai ka nisur të filmojë dhe u ka kërkuar efektivëve të policisë të shpjegojnë pse nuk po vepronin njësoj edhe ndaj automjeteve të eskortës.

Pse nuk gjobisni dhe kryeministrin, pse nuk gjobisni dhe këto makinat që janë këtu, siç keni gjobitur para pak kohësh këtu që gjobitët tërë Vunoin”, rrëfen Konomi.

Sipas versionit të tij, Rama e ka thirrur pranë tavolinës dhe e ka ftuar disa herë të ulej, ndërsa Konomi ka vijuar ta pyeste për problemin e parkimit.

Pse nuk bëni një parkim? Pse ne duhet të marrim gjoba? Domethënë duhet të gjobiten banorët këtu të vendit edhe ata pak turistë që vijnë këtu?”, tregon ai se i është drejtuar kryeministrit.

Në vijim të rrëfimit, Konomi pretendon se në debat ka ndërhyrë edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit, dhe se situata është tensionuar më tej.

Sipas tij, më pas kanë ndërhyrë truprojat, të cilët pretendohet se i kanë marrë telefonin dhe e kanë nxjerrë nga vendi.

Katër bodigardë, më rrëmbejnë telefonin… më ngrenë peshë”, deklaron Konomi në video.

Ai pretendon gjithashtu se videot që kishte regjistruar në telefon janë fshirë.

Më pas, sipas rrëfimit të tij, efektivët e policisë e kanë marrë dhe e kanë shoqëruar në Komisariatin e Himarës, prej nga është larguar më vonë.

Konomi pretendon gjithashtu se gjatë incidentit Rama ka kërkuar ndërhyrjen ndaj tij, duke përdorur edhe shprehjen e fortë “Maskara, arrestojeni”.

Megjithatë, deri në këtë moment, versioni i incidentit i bërë publik është ai i Arjan Konomit. Nuk ka ende një reagim apo version publik nga Edi Rama, Linda Rama apo autoritetet policore mbi atë që ka ndodhur në Vuno.

Për këtë arsye, rrethanat e plota të përplasjes dhe shoqërimit të Konomit mbeten për t’u sqaruar.