Vetëm dy javë pas nisjes së emisionit të tij të ri, Luiz Ejlli nuk do të jetë në ekranin e Top Channel mbrëmjen e kësaj të premteje. Shkak janë bërë zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe protestat që kanë përfshirë vendin, të cilat kanë sjellë ndryshime në programacionin e televizionit.
Përmes një njoftimi zyrtar, është bërë e ditur se “Live me Luizin” nuk do të transmetohet këtë javë, për shkak të rëndësisë së ngjarjeve aktuale dhe interesit të lartë publik.
Në vend të formatit argëtues të Luizit, Grida Duma do të vijë me një edicion special të “Top Story”, ku në fokus do të jenë zhvillimet e fundit dhe analiza e situatës në Shqipëri.
Emisioni i ri i fituesit të “Big Brother VIP Albania 2” nisi transmetimin më 2 tetor, duke shënuar një tjetër hap në karrierën e tij, këtë herë si moderator televiziv.
Në puntatën e parë, Luizi mirëpriti personazhe të njohura, mes tyre Alketa Vejsiun, Eli Farën, Manjola Nallbanin, Sinan Vllasaliun dhe Gjergj Lekën, ndërsa formati kombinon intervistat me muzikën dhe humorin.
Edhe puntata e dytë, e transmetuar më 9 tetor, tërhoqi vëmendjen e publikut me rrëfimin e Albërie Hadërgjonajt dhe ribashkimin e aktorëve të komedisë së njohur shqiptare “Pallati 176”.
Megjithatë, mungesa e kësaj jave nuk do të jetë përfundimtare. Sipas njoftimit zyrtar, “Live me Luizin” do të rikthehet javën e ardhshme në Top Channel, ndërsa këtë të premte vëmendja do të përqendrohet te zhvillimet aktuale në vend.




