Alketa Vejsiu ishte e ftuara e parë në emisionin e ri të Luiz Ejllit, “Live me Luizin”, i cili nisi mbrëmjen e kaluar në Top Channel.
Gjatë bisedës, moderatori e pyeti Alketën edhe për jetën e saj private dhe marrëdhënien me bashkëshortin. Pyetja e Luizit ishte e drejtpërdrejtë dhe lidhej me besimin në martesë.
“Çfarë të mbush mendjen që ky joti nuk të tradhton ty?”, e pyeti Luizi.
“Se kam fare unë këtë shqetësim”, u përgjigj Alketa Vejsiu.
Luizi e pyeti më tej nëse kjo lidhej me sigurinë që ajo kishte në vetvete, por moderatorja dha një tjetër këndvështrim për marrëdhënien në çift.
“S’ka të bëjë me sigurinë. Ka të bëjë me një pakt të heshtur që bëjnë dy njerëz kur vendosin të çojnë dy projekte të mëdha bashkë. Dhe projektet më të mëdha janë fëmijët, familja…”, tha Vejsiu.
Ajo shpjegoi se nuk e kalon kohën duke menduar për mundësinë e një tradhtie, pasi vëmendjen e saj e ka te familja dhe jeta që ka ndërtuar ndër vite.
“Nuk kam kohë të rri të mendoj për këtë, kur e kam çdo ditë para syve pikturën e jetës time”, u shpreh ajo.
Në fund, Alketa e shoqëroi përgjigjen me një vlerësim për veten dhe mënyrën se si e sheh rolin e saj në një marrëdhënie afatgjatë.
“Dhe jo për egoizëm, por mendoj që përmbush të gjitha kriteret për të qenë një grua që mund të qëndrojë gjatë në kohë, si një këngë që nuk del kurrë nga moda”, përfundoi moderatorja.
Kështu, përgjigjja e Alketa Vejsiut e zhvendosi bisedën nga xhelozia dhe frika e tradhtisë te besimi, angazhimi dhe jeta që dy njerëz ndërtojnë së bashku.




