Victoria’s Secret po përgatitet për rikthimin e Fashion Show-t, ndërsa marka ka nisur të zbulojë gradualisht emrat që do të jenë pjesë e një prej eventeve më të shumëpritura të modës.
Në qendër të vëmendjes do të jenë disa prej emrave më të njohur të pasarelës, mes tyre Adriana Lima, Candice Swanepoel dhe Gigi Hadid, të cilat prej vitesh janë të lidhura me historinë e Victoria’s Secret.
Por lista e modeleve nuk përfundon me to. Në këtë edicion janë konfirmuar gjithashtu Imaan Hammam, Paloma Elsesser, Alex Consani, Abby Champion, Ashley Graham dhe Anok Yai.
Kështu, spektakli do të sjellë në të njëjtën pasarelë si modele me një histori të gjatë me markën, ashtu edhe emra të brezit të ri të industrisë së modës.
Victoria’s Secret Fashion Show do të zhvillohet më 18 tetor, në orën 16:30 sipas kohës së Los Angeles dhe 19:30 sipas New York-ut. Spektakli do të transmetohet live në kanalin zyrtar të Victoria’s Secret në YouTube, si edhe në rrjetet sociale të markës.
Një tjetër detaj që e bën këtë edicion të veçantë është vendndodhja. Pas dy vitesh në New York, show do të rikthehet në Los Angeles, qyteti ku marka ka rrënjët e saj.
Bëhet fjalë për një rikthim në West Coast pas gati dy dekadash, pasi spektakli ishte zhvilluar atje për herë të fundit në vitet 2006 dhe 2007.
Përveç modeleve, edhe muzika do të ketë një rol të rëndësishëm në spektakël. Këtë vit, në skenë do të performojnë Megan Thee Stallion, Tate McRae, KATSEYE dhe Megan Moroney.
Victoria’s Secret ka një histori të gjatë me performancat muzikore, ndërsa në skenën e saj ndër vite janë ngjitur emra të mëdhenj si Taylor Swift, Katy Perry, Justin Bieber, Maroon 5, Spice Girls dhe Karol G.
Por surprizat nuk mbarojnë këtu. Një prej risive të këtij edicioni është iniciativa “Calling All Angels”, përmes së cilës Victoria’s Secret ka hapur një casting për modele nga e gjithë bota.
Modelet që ëndërrojnë të parakalojnë për markën kanë mundësinë të aplikojnë për të qenë pjesë e spektaklit. Fituesja do të ecë në pasarelën e Victoria’s Secret Fashion Show dhe do të firmosë gjithashtu një kontratë me IMG Models.
Emri i modeles së përzgjedhur do të bëhet publik më 18 tetor, pikërisht në ditën kur të gjitha sytë do të jenë te rikthimi i madh i spektaklit.




