Mbrëmja e sotme e Prime-it në Ferma VIP solli një nga momentet më të forta emocionale të këtij sezoni, pasi Indrit lexoi publikisht letrën e shumëpërfolur drejtuar Vanesa, duke konfirmuar fundin e marrëdhënies së tyre.
Prej ditësh, në rrjet po aludohej se letra e fshehtë e Indritit do të sillte një vendim drastik, por askush nuk e priste që ai të ishte kaq i drejtpërdrejtë dhe emocional para publikut.
Në rreshtat e lexuar live, Indrit pranoi se ditët larg Vanesës e kishin bërë të reflektonte mbi lidhjen e tyre dhe se kishte kuptuar që ndjenjat mes tyre nuk ishin në të njëjtin nivel.
Ai rrëfeu se gjatë kohës së ndarë nuk kishte ndjerë mungesën që mendonte se do të ndiente, madje pranoi se kishte përjetuar një ndjesi lirie, gjë që e bindi se historia e tyre nuk kishte të ardhme.
Fjalët e tij prekëse dhe mënyra e sinqertë sesi zgjodhi ta mbyllte raportin me Vanesa shkaktuan reagime të forta në studio, ku shumë prej banorëve mbetën të shtangur nga deklarata e tij.
Ndërkohë, Klevisa u shfaq më e rezervuar gjatë momentit, ndërsa pjesa tjetër e kastit nuk arriti ta fshehte habinë për mënyrën e prerë se si Indriti vendosi t’i japë fund historisë së dashurisë përpara gjithë publikut.




