Cardi B rrëfen frikën nga ndërhyrja estetike: “Dua të rregulloj gjoksin, por nuk e di nëse do ta bëj”

Cardi B via Instagram
Cardi B via Instagram

Reperja e njohur amerikane Cardi B ka folur hapur për dëshirën për t’iu nënshtruar një tjetër ndërhyrjeje estetike, këtë herë për të rikthyer formën e gjoksit. Megjithatë, pavarësisht se e ka menduar prej kohësh këtë hap, frika nga operacioni e bën të hezitojë.

Artistja ka treguar se ndërhyrja në gjoks është një nga procedurat e pakta estetike që i shkaktojnë vërtet frikë, edhe pse nuk ka të njëjtin shqetësim për ndërhyrje të tjera.

“Për disa arsye, kam shumë frikë nga operacioni i gjirit. Nuk e di pse, sepse nuk kam frikë nga asgjë tjetër. Nuk është aspak një ndërhyrje e këndshme, por duhet ta bëj”, u shpreh ajo.

Nënë e katër fëmijëve, Cardi B foli edhe për ndryshimet që ka pësuar trupi i saj ndër vite, veçanërisht pas shtatzënive. Me humorin dhe sinqeritetin që e karakterizojnë, reperja pranoi se gjoksi i saj është bërë më i varur me kalimin e kohës.

Ajo zbuloi gjithashtu se madhësia e thithkave dhe areolave i krijon vështirësi kur zgjedh veshjet. Megjithatë, këngëtarja theksoi se nuk dëshiron ta zvogëlojë gjoksin, pasi vazhdon ta pëlqejë madhësinë e tij. Synimi është të rikthejë formën dhe të ndihet më rehat me disa stile veshjesh.

Pavarësisht dëshirës për të bërë ndryshimin, Cardi B ende nuk e ka marrë një vendim përfundimtar.

Kjo nuk është hera e parë që reperja flet për pasiguritë që ka pasur lidhur me trupin e saj. Në vitin 2021, gjatë një bisede me Mariah Carey për revistën Interview, ajo tregoi se kishte zmadhuar gjoksin kur ishte vetëm 18 vjeçe.

Në atë periudhë, Cardi B ndihej e pasigurt për shkak të komenteve që merrte për trupin e saj, pasi ishte shumë e dobët. Puna si balerinë i dha mundësinë të fitonte paratë për të kryer ndërhyrjen, e cila, sipas rrëfimit të saj, e ndihmoi të kapërcente pasiguritë e asaj kohe.

Tashmë, shumë vite më vonë, artistja po mendon për një tjetër ndërhyrje, por dilema është ndryshe: ajo nuk kërkon gjoks më të madh, por dëshiron të rikthejë formën e tij, ndërsa frika nga operacioni vazhdon ta mbajë në mëdyshje.