Katerina Goga ka rrëfyer detaje të reja për marrëdhënien e saj me Arnold Damazetin, duke zbuluar se pas një periudhe tensionesh dhe distance, mes tyre ka pasur një pajtim dhe afrim të ri.
E ftuar në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ish-konkurrentja e “Për’puthen” tregoi se komunikimi me Arnoldin është rikthyer dhe se tashmë ata janë pajtuar.
“Jemi pajtuar, ta them kështu”, u shpreh Katerina, duke lënë të kuptohet se raporti mes tyre ka marrë një tjetër drejtim.
Ajo shpjegoi se, pavarësisht vështirësive që kishin kaluar, komunikimi nuk ishte ndërprerë plotësisht. Sipas Katerinës, Arnoldit i është dashur kohë për të kuptuar dhe shprehur ndjenjat e tij.
Një moment që duket se ka ndikuar në afrimin e tyre ka qenë një mesazh i gjatë që Arnoldi i ka dërguar vetëm pak ditë më parë.
“Ai një herë shprehet, nuk shprehet kollaj”, tregoi Katerina, duke zbuluar se në mesazhin e tij ai kishte reflektuar mbi marrëdhënien e tyre dhe gjithçka që ajo kishte përjetuar, përfshirë edhe sakrificën për të sjellë në jetë vajzën e tyre.
Megjithatë, Katerina theksoi se bëhet fjalë për më shumë sesa një përmirësim të thjeshtë të komunikimit.
“Jemi rikthyer te lidhja që kishim. Një lidhje shpirtërore që e kuptojmë vetëm ne, jemi paranormalë ne të dy”, deklaroi ajo.
Rrëfimi i saj vjen pak ditë pas intervistës në “Prive By LS”, ku Katerina kishte folur më gjerësisht për historinë e saj me Arnoldin dhe për çështjen e testit të ADN-së, e cila ka qenë pjesë e diskutimeve publike rreth raportit të tyre.
Sipas deklaratave të saj të fundit, testi i ADN-së ende nuk është kryer, ndërsa marrëdhënia mes Katerinës dhe Arnoldit duket se ka hyrë në një fazë të re, me komunikimin dhe afrimin mes tyre tashmë të rikthyer.




