Kanë dalë në dritë zhvillime të reja në hetimet për vrasjen e influencueses meksikane Valeria Márquez, e cila humbi jetën në moshën 23-vjeçare gjatë një transmetimi live në TikTok në maj të vitit 2025.
Sipas autoriteteve meksikane, është arrestuar Ramón Ángel Álvarez Ayala, i dyshuar si anëtar i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG). Hetuesit dyshojnë se ai ka urdhëruar atentatin, ndërsa motivi i ngjarjes lidhet me marrëdhënien e mëparshme të influencueses me djalin e tij, Francisco Álvarez.
Sipas hetimeve, Francisco dyshohet se e kishte kërcënuar disa herë Valerian pas ndarjes së tyre dhe më pas i kishte kërkuar të atit të organizonte sulmin. Deri në këtë moment, Francisco Álvarez dhe personi i dyshuar si autor i ekzekutimit mbeten në arrati.
Ngjarja ndodhi më 13 maj 2025, kur Valeria Márquez ndodhej në sallonin e saj të bukurisë në Jalisco dhe po komunikonte drejtpërdrejt me ndjekësit në TikTok. Pak çaste para sulmit, ajo kishte shprehur shqetësimin se disa persona kishin mbërritur në biznesin e saj duke pretenduar se kishin një dhuratë për të.
Sipas autoriteteve, një person i maskuar hyri më pas në ambientet e sallonit dhe e qëlloi me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Arrestimi i Ramón Ángel Álvarez Ayala konsiderohet një hap i rëndësishëm në zbardhjen e çështjes. Ndërkohë, hetimet vijojnë edhe për lidhjet e tij të dyshuara me çështje të tjera kriminale, përfshirë vrasjen e ish-kryebashkiakut të Uruapanit, Carlos Manzo.




