Përplasje e fortë në “Fan Club”: Babai i Selinës kundër produksionit dhe Kiarës, përmend edhe Sara Hoxhën...

Përplasje e fortë në “Fan Club”: Babai i Selinës kundër produksionit dhe Kiarës, përmend edhe Sara Hoxhën...

Një moment mjaft i tensionuar është regjistruar në emisionin Big Brother VIP Fan Club, ku Toni Bollati, babai i Selina, u lidh në telefon dhe shprehu hapur pakënaqësitë e tij ndaj produksionit të Big Brother VIP Albania.

Biseda me moderatoren Kiara Tito nisi menjëherë me tone të ashpra. Toni u ankua se nuk i ishte dhënë më parë mundësia për të folur, ndërsa theksoi se situata rreth vajzës së tij në shtëpinë e reality show-t ishte përkeqësuar.

Kur moderatorja u përpoq të ulte tensionin duke thënë se gjithmonë ka moment për të diskutuar këto çështje, ai reagoi me ironi duke nënvizuar se kjo mundësi po i jepej vetëm pasi, sipas tij, vajza e tij ishte përballur me shumë sulme.

Kiara Tito u përpoq të tregonte empati duke theksuar se e kuptonte presionin e formatit, pasi edhe vetë kishte qenë pjesë e Big Brother VIP Albania. Megjithatë, kjo nuk e qetësoi Tonin, i cili u shpreh se pikërisht për këtë arsye ajo duhej të ishte më e kujdesshme me komentet.

Debati u tensionua edhe më shumë kur Toni pretendoi se reagimet negative të publikut ishin drejtuar kryesisht ndaj vajzës së tij dhe familjes së tyre. Në këtë moment moderatorja i kërkoi të kishte kujdes me gjuhën, ndërsa ai reagoi duke sfiduar mënyrën se si po drejtohej biseda.

Kiara u përgjigj me një qëndrim të prerë, duke theksuar se qetësia e saj nuk duhet të interpretohej si dobësi dhe se pyetjet e saj kishin të bënin me interesin e publikut.

Në fund të lidhjes telefonike, Toni Bollati përsëriti pakënaqësinë ndaj produksionit dhe përmendi edhe producenten Sara Hoxha, duke thënë se do të fliste më gjerësisht për situatat e vajzës së tij kur t’i jepej fjala.

Ky moment ka bërë menjëherë xhiron e rrjeteve sociale, duke ndarë publikun mes atyre që kuptojnë reagimin e një prindi dhe atyre që vlerësojnë mënyrën se si Kiara Tito menaxhoi situatën gjatë transmetimit live.