Aktori i njohur turk Serhat Mustafa Kılıç është gjetur i pajetë në apartamentin e tij në lagjen Kağıthane të Stambollit, në moshën 51-vjeçare.

Lajmi ka tronditur fansat e serialeve turke, pasi Kılıç ishte një emër i njohur për publikun edhe përmes serialit “Ezel”, i cili dikur mbërtheu para ekranit edhe shumë shqiptarë.
Sipas raportimeve, alarmi u ngrit pasi partnerja e tij, Özlem E., nuk kishte mundur të kontaktonte me aktorin prej disa ditësh. Ajo shkoi në banesën e tij dhe, pasi nuk mori përgjigje, hyri me çelësin që kishte në dispozicion. Kılıç u gjet i palëvizshëm në një kolltuk në dhomën e ndenjes.
Në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore dhe policia, të cilat konstatuan vdekjen. Trupi i aktorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku pritet të përcaktohet shkaku përfundimtar i vdekjes.
Partnerja e tij ka deklaruar në polici se aktori kishte probleme të ndryshme shëndetësore dhe se vuante edhe nga kanceri limfatik. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se kjo sëmundje ka shkaktuar vdekjen e tij.
Ndërkohë, janë publikuar edhe pamjet e fundit të aktorit. Kamerat e sigurisë e kanë filmuar më 1 shtator duke u kthyer në banesë, ku duket i lodhur dhe në disa momente mbështetet në mur teksa lëviz drejt apartamentit.
Serhat Mustafa Kılıç kishte një karrierë të gjatë në teatër, kinema dhe televizion, ndërsa së fundmi ishte shfaqur edhe në serialin “Teşkilat”.
Hetimet vijojnë, ndërsa ekzaminimet mjeko-ligjore pritet të zbardhin shkakun e saktë të vdekjes. 🕊️




