Këngëtarja dhe aktorja e njohur Selena Gomez ka bërë një rrëfim të sinqertë për një zakon që, sipas saj, ka ndikuar në zërin e saj, duke u përcjellë njëkohësisht edhe një mesazh të rëndësishëm fansave.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram, artistja 34-vjeçare ka pranuar se përdorimi i shpeshtë i cigareve elektronike me nikotinë i ka shkaktuar ndryshime në zë. Ajo ka treguar gjithashtu se e ka ndërprerë këtë zakon, por se heqja dorë nga nikotina nuk ka qenë aspak e lehtë.
“Kam përdorur shumë cigare elektronike me nikotinë. Është jashtëzakonisht e vështirë të heqësh dorë prej saj. Nëse po mendoni ta provoni, nuk ia vlen”, është shprehur Selena.
Artistja ka folur hapur edhe për pasojat që ka vënë re, duke pranuar se zëri i saj nuk është më si më parë.
“Ma ka ndryshuar zërin. Jam shumë e lumtur që e kam lënë dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Është shumë e vështirë”, ka treguar ajo.
Selena Gomez via Instagram Story
Ndryshimet në zërin e Selena Gomez kanë qenë prej kohësh objekt diskutimi në rrjetet sociale. Në dhjetor të vitit të kaluar, ajo kishte zbuluar se përjetonte herë pas here ënjtje në fyt, megjithëse në atë kohë nuk e kishte lidhur drejtpërdrejt këtë shqetësim me përdorimin e nikotinës.
Këtë herë, përmes përvojës së saj personale, Selena ka dashur t’u përcjellë një mesazh edhe personave që po përpiqen të heqin dorë nga ky zakon: të mos dorëzohen, edhe kur procesi duket i vështirë.
Rrëfimi i saj ka rikthyer në vëmendje diskutimin mbi përdorimin e cigareve elektronike dhe pasojat e mundshme të nikotinës, ndërsa këngëtarja shpreson të vazhdojë të qëndrojë larg tyre.




