Një lajm i trishtë ka prekur DJ Dagz, i cili ka humbur të atin, Naim (Limon) Gumnishta, pas një beteje të rëndë shëndetësore.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vetë artisti përmes një postimi në Instagram, ku ka ndarë një mesazh të shkurtër, por plot dhimbje për humbjen e babait.
“U preftë në paqe, babë!”, ka shkruar Dagz, duke njoftuar ndarjen nga jeta të njeriut të tij të dashur.

Dj Dagz via Instagram Story
Vetëm dy net më parë, DJ Dagz kishte ndarë me ndjekësit një rrëfim prekës për gjendjen e rënduar shëndetësore të të atit. Në atë kohë, ai tregonte se babai ndodhej në intubim dhe po luftonte për jetën.
Në mesazhin e publikuar, artisti kujtonte edhe mbështetjen e pakushtëzuar që kishte marrë nga i ati gjatë 17 viteve të karrierës së tij muzikore. Sipas rrëfimit të Dagz, babai kishte qenë personi që e kishte inkurajuar të vazhdonte të ndiqte ëndrrën e tij, edhe në momentet kur ai e kishte të vështirë të përmbushte angazhimet profesionale.
“Unë jam i fortë, babë, qashtu qysh ti ki pas qef unë me kon”, shkruante ai në postimin e mëparshëm, duke shprehur shpresën se i ati do ta kalonte këtë periudhë të vështirë.
Fatkeqësisht, vetëm pak ditë pas atij mesazhi, DJ Dagz është përballur me humbjen e babait, të cilin e kishte përshkruar si një nga mbështetësit më të mëdhenj të jetës dhe karrierës së tij.
Ndërkohë, sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit të Naim Gumnishtës do të mbahet të martën, më 27 tetor, në orën 14:20, në varrezat e fshatit Begaj të Vushtrrisë.
Ngushëllime familjes Gumnishta për këtë humbje të rëndë.




