Këngëtari i njohur i grupit West Side Family, Armir Shahini, i njohur për publikun si Miri, ishte i ftuar në emisionin Ndryshe me moderatorët Elona Duro dhe Salsano Rrapi, ku foli për eksperiencën në Big Brother VIP Albania, jetën pas spektaklit dhe projektet muzikore që po përgatit.
Ish-finalisti tregoi se pas përfundimit të formatit më 18 prill 2026, shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën e tij, sidomos mënyra si i percepton raportet dhe situatat përreth.
Gjatë intervistës, ai u përball me pyetje pikante për debatet dhe marrëdhëniet që krijoi brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Kur u pyet nëse në debate fiton zemra apo mendja, Miri dha një përgjigje që po komentohet shumë në rrjet:
“Në fakt mua më ka fituar zemra, por duhet të fitonte mendja”, tha ai.
Ndërkohë, për raportin me Selin, ai zgjodhi të tregohesh diplomatik. I pyetur se kush ka fituar debatet mes tyre, u përgjigj:
“Nuk e di, nuk mund ta them unë”.
Por krejt ndryshe reagoi kur u pyet për debatet me Rogert dhe Mateo.
“Besoj se kam fituar unë”, tha për Rogertin, ndërsa për Mateon shtoi me humor:
“Besoj se unë… kush ka fituar Mateo?”
Ai komentoi edhe raportin me Greta, duke theksuar se mes tyre nuk ka pasur përplasje serioze, përveç disa debateve të vogla.
Një nga momentet më spontane të intervistës ishte kur moderatorët e pyetën nëse do të zgjidhte “Big Brother”-in apo lirinë totale në jetën e përditshme.
“Liri totale, sepse ‘Big Brother’ të kondicionon në disa situata se je i rrethuar me kamera…”, tha ai.
Pas batutës nga studio: “Se nuk bën dot seks”, Miri shpërtheu në të qeshura dhe u përgjigj: “Edhe kjo është”.
Në fund, këngëtari foli edhe për industrinë muzikore, duke theksuar se sipas tij, artistët e viteve 2000 vazhdojnë të kenë më shumë ndikim sesa emrat e rinj të dalë nga TikTok-u.
“Artistët e viteve 2000”, tha ai pa hezitim, ndërsa shtoi se versioni i sotëm i tij është shumë më i fortë falë eksperiencës së fituar ndër vite.




