I ftuar në emisionin Ndryshe në Top Albania Radio, Miri ka folur për eksperiencën e tij në Big Brother VIP Albania, marrëdhëniet me ish-banorët dhe jetën pas përfundimit të spektaklit.
Këngëtari tregoi se periudha pas daljes nga BBVIP ka qenë mjaft intensive, mes projekteve të reja muzikore, rikthimit në skenë dhe përshtatjes me vëmendjen e madhe të publikut.
Gjatë intervistës, moderatorët Elona Duro dhe Salsano Rrapi e pyetën edhe për raportin me Selin pas daljes nga shtëpia.
“A e ke takuar ndonjëherë Selin pas Big-ut, apo urreheni?”, ishte pyetja që iu drejtua.
“Jo, asnjëherë. Nuk di gjë. Ku urrej unë?! Unë jam njerëzor, jam babaxhan”, u përgjigj Miri, duke lënë të kuptohet se nuk ka hatërmbetje.
Ai shtoi se nuk do ta kishte problem të ishte në të njëjtin emision me Selin, pasi sipas tij gjithçka që ka ndodhur në BBVIP ka mbetur brenda lojës.
“Çdo gjë që ka ndodhur në Big, e kam mbyllur dhe e kam lënë atje”, tha ai.
Miri foli edhe për raportin me Rogert, duke treguar se megjithëse nuk vazhdojnë shoqërinë, kur janë hasur rastësisht jashtë, janë përshëndetur normalisht.
“Kur jemi hasur në rrugë, jemi takuar”, u shpreh këngëtari.




