“Për’puthen” pritet të rikthehet në sezonin e ri me ndryshime të rëndësishme në ekip, ndërsa në krye të formatit mund të shfaqet një tjetër emër i njohur i ekranit.
Sipas burimeve të Kryefjala.com, Heidi Baci pritet të marrë drejtimin e “Për’puthen”, duke pasur një rol qendror në programin e dashurisë.
Por ndryshimet nuk ndalen këtu.
Krah Heidi Bacit pritet të jetë edhe Ronaldo Sharka, ndërsa një tjetër emër i njohur që mund t’i bashkohet formatit është Erjola Doçi.
Sipas të njëjtave burime, Erjolës pritet t’i besohet roli i opinionistes, duke kompletuar kështu një treshe me figura tashmë të njohura për publikun e Top Channel.
Të tre personazhet kanë qenë më herët pjesë e projekteve të televizionit dhe kanë eksperiencë në ekran, çka e bën ndryshimin e mundshëm të ekipit të “Për’puthen” edhe më interesant për sezonin e ri.
Megjithatë, deri në këtë moment, Top Channel nuk ka bërë një njoftim zyrtar për ekipin e ri të programit.
Nëse informacioni konfirmohet, sezoni i ri do të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në drejtimin dhe strukturën e “Për’puthen”, pas largimit të raportuar të Megi Pojanit nga drejtimi i formatit.
Tashmë mbetet vetëm të pritet prezantimi zyrtar për të zbuluar nëse Heidi Baci, Ronaldo Sharka dhe Erjola Doçi do të jenë vërtet fytyrat e reja të “Për’puthen”.




