G-Bani ka vendosur t’i japë fund fushatës së tij në GoFundMe, e cila ishte hapur për të mbledhur fonde për realizimin e projektit të ri muzikor, “Assasin”.
Reperi synonte të siguronte 2 mijë paund britanikë për të mbuluar shpenzimet e instrumentalit, regjistrimit, miksimit, masterizimit dhe realizimit të videoklipit.
Përmes një InstaStory, artisti publikoi emailin e marrë nga ekipi i GoFundMe, ku konfirmohet se procedura e rimbursimit të plotë të të gjitha donacioneve ka nisur.

G-Bani via Instagram Story
Sipas njoftimit të platformës, të gjithë kontribuuesit do të marrin 100% të shumës së dhuruar brenda 3 deri në 7 ditë pune, ndërsa mundësia për të bërë donacione të reja është çaktivizuar.
Nga komunikimi i publikuar kuptohet se ishte vetë G-Bani ai që kontaktoi ekipin e platformës për të kërkuar mbylljen e fushatës dhe nisjen e procesit të kthimit të fondeve. Sipas politikave të GoFundMe, një vendim i tillë është përfundimtar dhe nuk mund të anulohet.
Megjithatë, G-Bani nuk ka zbuluar ende arsyen që e shtyu të mbyllte fushatën dhe të kërkonte kthimin e donacioneve, duke lënë të hapura pikëpyetjet mbi fatin e projektit “Assasin”.




