Një nga momentet më të bukura të mbrëmjes në sheshin Skënderbej ka ardhur nga këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri, e cila surprizoi publikun me një lajm tepër emocionues gjatë performancës së saj në skenën e Supernova.
Mes brohorimave të mijëra fansave, artistja konfirmoi se ajo dhe partneri i saj, Kreshniku, janë në pritje të fëmijës së tyre të dytë.
Teksa performonte në skenë, Dafina tregoi me krenari barkun e rrumbullakosur dhe zgjodhi ta ndajë lajmin në një mënyrë plot emocion, por edhe humor. Ajo tha se kishte ardhur momenti t’u tregonte të gjithëve se djali i tyre, Daskani, shumë shpejt do të bëhet vëlla i madh.
Atmosfera u bë edhe më festive kur këngëtarja shtoi me shaka se më herët u kishte premtuar ndjekësve që ajo dhe Kreshniku do të krijonin “një skuadër futbolli”, por askush nuk e kishte marrë seriozisht.
Deklarata e saj u prit me duartrokitje, brohoritje dhe shumë emocion nga publiku, duke e kthyer koncertin në një moment të paharrueshëm për fansat e artistes.




