Rozana Radi po përgatitet për një rikthim të shumëpritur në skenën e “Kënga Magjike”, festival ku ka arritur të triumfojë dy herë.
Këngëtarja e fitoi për herë të parë festivalin në vitin 2016, me këngën “Ma thuaj ti”, ndërsa në vitin 2024 e përsëriti suksesin me “Akoma”, një bashkëpunim me Sany Dimitri.
Por këtë herë, Rozana duket se ka menduar diçka krejt ndryshe.
Detajet e rikthimit të saj janë zbuluar nga Elton Tozaj, i cili ka paralajmëruar se artistja nuk do të ngjitet e vetme në skenën e festivalit.
Krahas Rozanës do të jenë Young Zerka dhe Orgito Dapa, me të cilët ajo pritet të sjellë një bashkëpunim në ritmet dance.
Bëhet fjalë për një këngë që synon të jetë ndër ato projekte që kapen shpejt nga publiku dhe dëgjohen kudo – nga makinat dhe telefonat, deri te videot dhe trendet në TikTok.
Bashkimi i tre artistëve dhe ritmet energjike duket se premtojnë një performancë ndryshe për Rozanën, e cila rikthehet në një festival ku tashmë ka shkruar historinë e saj.
Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë kanë përgatitur Rozana Radi, Young Zerka dhe Orgito Dapa dhe si do të pritet bashkëpunimi i tyre në “Kënga Magjike”.




