Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në afërsi të kthesës së fshatit Hormovë, ku është përfshirë aktori i njohur i humorit Sejfulla Myftari (Cekja).
Sipas informacioneve paraprake, automjeti “Mercedes-Benz” që drejtohej nga Cekja është përplasur me një automjet “Ford”, në timonin e të cilit ndodhej Baba Sheh Hormova, klerik bektashian.
Fatmirësisht, përplasja nuk ka qenë frontale, duke shmangur pasoja më të rënda. Si Cekja, ashtu edhe drejtuesi tjetër i mjetit kanë dalë pa lëndime, ndërsa nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore të Gjirokastrës, të cilat po kryejnë veprimet procedurale dhe po hetojnë rrethanat që çuan në aksident.
Ngjarja përfundoi pa pasoja për personat e përfshirë, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë shkakun e përplasjes pas përfundimit të hetimeve.




