“Dorëhiqu…”/ Rama ironizon kritikët dhe zbulon kur do të largohet...

“Dorëhiqu…”/ Rama ironizon kritikët dhe zbulon kur do të largohet...

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë mëngjes në rrjetet sociale ndaj thirrjeve për dorëheqje, duke publikuar një mesazh të gjatë me tone ironike, ku rendit një sërë arritjesh që, sipas tij, janë shënuar gjatë qeverisjes.

Në nisje të reagimit, Rama shkruan se e mirëkupton kërkesën për dorëheqje, por më pas vijon me një listë zhvillimesh që ai i konsideron si tregues të progresit në vend.

“Dorëhiqu për transformimet e zonave urbane dhe rurale. Dorëhiqu për aeroportet! Dorëhiqu për turizmin që shënon shifra rekord! Dorëhiqu për negociatat që u hapën! Dorëhiqu për konferencën e tetë ndërqeveritare,” shkruan ai.

Më tej, kreu i qeverisë përmend edhe ekonominë, rritjen e pagave, protestat paqësore dhe investimet në sektorë të ndryshëm, duke theksuar se këto janë disa nga arsyet pse, sipas tij, vendi ka bërë përparim.

Sipas Ramës, “realiteti është bezdisës për ata që jetojnë me nostalgjinë e krizës së përhershme”, ndërsa shton se Shqipëria sot gëzon më shumë respekt në arenën ndërkombëtare.

Në fund të mesazhit, ai iu përgjigj drejtpërdrejt kërkesave për largimin e tij nga posti i kryeministrit, duke shkruar me ironi:

“Ose mendoje kështu: Dorëhiqu… në 2030! Nuk do të na duhesh atëherë, por do të kujtojmë me siguri.”

Deklarata e Edi Ramës ka nxitur menjëherë reagime dhe diskutime në rrjetet sociale, duke u kthyer në një nga temat më të komentuara të ditës.