Përplasja e fortë mes Ilir Shaqirit dhe Mimoza Ahmetit ka sjellë reagime të shumta në rrjet, por një nga më të fortët ka ardhur nga ish-konkurrenti i Ferma VIP, Akili.
I eliminuar që në ditët e para të spektaklit, Akili ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën sesi produksioni po trajton sjelljet dhe debatet mes banorëve, duke lënë të kuptohet se standardet nuk janë të njëjta për të gjithë.
Në reagimin e tij në Instagram, ai ironizoi arsyet që, sipas tij, iu dhanë për largimin nga gara, duke krahasuar situatën e tij me tensionet dhe ofendimet që po ndodhin aktualisht brenda fermës.
“Nuk qënka as sëmundje as dobësi, siç më thanë ato atje,” – shkroi Akili, duke thumbuar hapur produksionin.
Në një tjetër postim, ai foli edhe për gjendjen emocionale që përjetojnë konkurrentët gjatë debateve të forta televizive, duke dhënë një mesazh që u interpretua si një reagim indirekt ndaj situatës së fundit me Ilirin.
Sipas tij, kur një person dridhet gjatë debatit, kjo nuk duhet parë si dobësi, por si një shenjë se ndodhet në limit emocional dhe nën efektin e adrenalinës, ku çdo provokim mund të çojë në shpërthim.
Reagimi i Akilit ka ndezur diskutime të shumta online, me ndjekësit që po debatojnë nëse produksioni i Ferma VIP po mban të njëjtin standard për të gjithë banorët.




