Më 4 tetor, “Portokalli” rikthehet me sezonin e ri, por promoja e parë duket se ka mjaftuar për të ndezur kuriozitetin dhe aludimet rreth asaj që po përgatitet këtë herë.
Në qendër të videos promocionale shfaqet Agron Llakaj, i cili vjen në rolin e komandantit të një “ushtrie” aktorësh, të gatshëm për të “pushtuar botën”. Mes objektivave të tyre përmendet edhe Grenlanda, ndërsa gjatë “misionit” nuk mungon as një telefonatë nga Donald Trump.
Megjithatë, një prej batutave të Llakajt ka tërhequr veçanërisht vëmendjen:
“Let’s make Portokalli great again!”
Fraza është një përshtatje e sloganit të njohur të Trump, por menjëherë ka lindur pyetja nëse bëhet fjalë thjesht për humor në kuadër të promos, apo nëse batuta mund të interpretohet edhe si një kunj për “Portokallinë” e viteve të fundit, kur programi drejtohej nga Salsano Rrapi.
Këtë sezon, Agron Llakaj rikthehet në një rol qendror në spektakël, ndërsa Salsano Rrapi, prej vitesh një nga figurat kryesore të programit, nuk do të jetë më në drejtimin e tij.
Në këtë kontekst, shprehja “great again” mund të shihet edhe si pjesë e strategjisë promocionale për të krijuar idenë e një rikthimi te fryma e dikurshme të “Portokalli”. Megjithatë, deri tani nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare që ta konfirmojë këtë interpretim.
Një tjetër detaj që nuk ka kaluar pa u vënë re është mungesa e Kiara Titos në videon promocionale.
Moderatorja është prezantuar si pjesë e sezonit të ri krah Agron Llakajt, por nuk shfaqet në materialin e publikuar së fundmi. Nuk dihet nëse kjo lidhet thjesht me mënyrën se si është konceptuar promoja apo nëse prezantimi i Kiarës po ruhet si surprizë përpara premierës.
Përgjigjet pritet të vijnë më 4 tetor, kur “Portokalli” do të nisë zyrtarisht sezonin e ri. Deri atëherë, një gjë duket e sigurt: promoja ka ngjallur kuriozitet për ndryshimet e reja në spektakël.




