E fundit! Prokuroria kërkon masën e rëndë për Joz Markun...

E fundit! Prokuroria kërkon masën e rëndë për Joz Markun...

Situata ligjore për Jozefin Markun duket se është rënduar pas incidentit me Eduart Kuçin. Prokuroria e Tiranës ka depozituar në gjykatë kërkesën për “arrest me burg” për këngëtarin dhe Kristjan Nikollin.

Kërkesa është dorëzuar këtë të hënë, ndërsa tashmë pritet që Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës të marrë vendimin për masën e sigurisë.

Sipas raportimeve të fundit, Marku dyshohet për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Ndërkohë, katër akuza të tjera që lidhen me ngjarjen vijojnë të jenë nën verifikim nga Prokuroria.

Ndërsa për Kristjan Nikollin, situata është edhe më e gjerë, pasi ai dyshohet edhe për “Përkrahjen e autorit të krimit” dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, bombave ose minave dhe të municionit”.

Gjatë kontrollit në banesën e Nikollit, policia ka sekuestruar municion, si dhe një automjet tip “Land Rover”, që dyshohet se mund të jetë përdorur gjatë ngjarjes.

Sipas policisë, Jozefin Marku dhe Kristjan Nikolli, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, dyshohet se kanë dhunuar Eduart Kuçin pas një konflikti që lidhej me postime dhe fyerje të mëparshme në rrjetet sociale.

Në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.

Tashmë, vëmendja është te vendimi i gjykatës, e cila do të përcaktojë nëse do të pranojë kërkesën e Prokurorisë për “arrest me burg”. Seanca për caktimin e masës së sigurisë pritet të zhvillohet brenda 48 orëve dhe me dyer të mbyllura.