Blerina Matraku ka reaguar publikisht pas situatës që ka shkaktuar diskutime të shumta në rrjet, duke zgjedhur këtë herë të mos justifikohet, por të kërkojë falje dhe të marrë përgjegjësi për veprimet e saj.
Në një mesazh të gjatë, Matraku u është drejtuar fillimisht të gjithë personave që janë ndier të tronditur, të lënduar apo të prekur nga situata.
“Sot nuk dua të mbrohem, dua të kërkoj falje. I drejtohem së pari publikut, çdo individi që është tronditur, lënduar apo ndier i prekur nga kjo situatë. Ju kërkoj ndjesë me përulësi dhe vërtetësi.”
Ajo ka kërkuar gjithashtu që materialet private të mos shpërndahen më, duke theksuar se publikimi i tyre ka cenuar rëndë privatësinë e saj.
“Nuk jam këtu për të justifikuar, jam këtu për të marrë përgjegjësinë time. Kërkoj ndjesë për besimin që dikujt i dhashë në momentet më vulnerabël të jetës sime, besim i cili m’u përdor për arsye të paditura e të paidentifikuara ende.”
Një pjesë të veçantë të reagimit, Blerina ia ka kushtuar Klaudias dhe vajzave të saj, të cilave u ka kërkuar publikisht falje për dhimbjen që mund t’u jetë shkaktuar.
“I kërkoj ndjesë Klaudias dhe vajzave të saj, për çdo lot apo dhimbje të shkaktuar, gjë që do të paguhet me drejtësi hyjnore.”
Matraku ka pranuar se, pavarësisht se sipas saj privatësia i është cenuar në mënyrë të rëndë, ajo merr përgjegjësi për veprimet e veta.
Në vijim të mesazhit, ajo ka folur edhe për veten dhe vështirësitë me të cilat pretendon se është përballur gjatë jetës.
“Jam thjesht një artiste e një profili të ulët artistik, pa famë, çmime e suport, një grua e cila për fat të keq është përballur e vetme me sfidat e jetës e që i është dashur të buzëqeshë me pretekstin që lotët në sy ishin lot gëzimi…”
Në fund, Matraku ka bërë një apel të drejtpërdrejtë për ndalimin e shpërndarjes së materialeve, duke kërkuar mirëkuptim dhe respekt.
“Sot ju lutem publikisht, ‘Mjaft’. Mos shpërndani më…”
Ajo e ka mbyllur reagimin me një tjetër mesazh të fortë:
“Gabimi kërkon përgjegjësi, të cilën po e marr mbi supe dhe po e paguaj çnjerëzisht. Dhimbja kërkon respekt. Mjaft ju lutem. Jam njeri, që më është cenuar privatësia…”
Blerina Matraku ka theksuar se e ka pasur të vështirë të shprehë qartë gjithçka në këto momente, por shpreson që mesazhi i saj të përcillet.




