Debati mbi videot intime që kanë qarkulluar së fundmi në rrjet u bë pjesë e diskutimit në puntatën e parë të sezonit të ri të “Goca dhe Gra”.
Katër moderatoret e emisionit, Ori Nebijaj, Ema Andrea, Selin Bollati dhe Orinda Huta, diskutuan mbi reagimin publik ndaj personave të përfshirë dhe mënyrën se si shoqëria i gjykon raste të tilla.
Gjatë bisedës, Selin Bollati solli në vëmendje edhe rastin e Beatriks Ramosajt në edicionin e parë të “Big Brother VIP”, duke argumentuar se reagimi ndaj saj në atë kohë ishte tepër i ashpër. Sipas Selinit, ky rast tregon se shoqëria jo gjithmonë i trajton situatat me të njëjtin standard.
Orinda Huta nuk ishte dakord me këtë krahasim, duke theksuar se fakti që një person është gjykuar publikisht në të kaluarën nuk do të thotë se i njëjti qëndrim duhet përsëritur edhe sot.
Në vijim të debatit, Selin sqaroi se nuk kërkon që gratë e shfaqura në videot intime të sulmohen apo linçohen, por mendon se secili person i përfshirë në një marrëdhënie duhet të mbajë përgjegjësinë e vet.
“Përgjegjësia duhet të ndahet. Nuk po themi që t’i kryqëzojmë, por duhet të mbajnë përgjegjësi edhe ato që janë pala e tretë në një marrëdhënie”, u shpreh ajo.
Selin foli gjithashtu për rastin e Adrian Hilës, duke thënë se, sipas asaj që kishte dëgjuar, bashkëshortja e kompozitorit vazhdon t’i qëndrojë pranë gjatë kësaj periudhe.
“Kam dëgjuar që bashkëshortja e zotit Hila po i qëndron shumë pranë në këto momente”, tha Bollati.
Në këtë pikë, Orinda Huta ndërhyri duke theksuar se publiku nuk mund ta dijë se çfarë ndodh realisht brenda një martese dhe se çdo çift mund të ketë dinamikat e veta.
Selin, megjithatë, këmbënguli në qëndrimin e saj se situata nuk mund të cilësohet thjesht si një “gabim”, duke iu referuar edhe moshës së personave të përfshirë.
“E kam dëgjuar shumë që është gabim, por nuk janë në moshën e adoleshencës që ta quash thjesht gabim. Po flasim për një zotëri që është 56 vjeç”, deklaroi ajo.
Debati mes moderatoreve vijoi me qëndrime të ndryshme mbi përgjegjësinë, privatësinë dhe gjykimin publik, duke reflektuar kompleksitetin e diskutimeve që kanë shoqëruar publikimin e materialeve intime.




