Pjesëmarrja në “Big Brother” duket se nuk ka qenë vetëm një eksperiencë personale për Selin Bollatin, por ka ndikuar edhe në dinamikën e familjes së saj.
E ftuar në “Goca dhe Gra”, Selin foli hapur për një periudhë të vështirë që përjetoi familja e saj pas përfundimit të reality show-t. Ajo tregoi se vendimi për të marrë pjesë në program ishte marrë me miratimin e të dy prindërve, por mënyra se si ata e përjetuan më pas eksperiencën ishte e ndryshme.
Sipas Selinës, kjo situatë solli përplasje mes prindërve të saj dhe marrëdhënia e tyre kaloi gradualisht në një krizë serioze.
“Unë e kam përjetuar vetë. Vendimin për të shkuar në ‘Big Brother’ e mora me miratimin e të dy prindërve. Njëri e mbështeste, ndërsa tjetri e shihte më ndryshe situatën. Por në fund kjo u kthye në një konflikt mes tyre”, rrëfeu ajo.
Edhe pas përfundimit të eksperiencës në “Big Brother”, tensionet në familje nuk u zhdukën. Selin tregoi se nisi ta shihte veten si një prej faktorëve që mund të kishte ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënies së prindërve.
“Me përfundimin e eksperiencës, krisja vazhdoi edhe pas daljes sime dhe unë e ndieja se isha faktori për të cilin prindërit e mi po kalonin një krizë shumë serioze. E kam ndarë këtë edhe me miqtë e mi, sidomos në momentet kur situata ishte shumë e tensionuar”, tha ajo.
Kjo periudhë e bëri Selinën të reflektonte edhe mbi divorcin dhe marrëdhënien mes prindërve, duke treguar se kuptoi se një fëmijë mund të ndikojë në dinamikat familjare në mënyra të ndryshme.
Ajo zbuloi se sot situata në familjen e saj ka ndryshuar. Prindërit e Selinit janë sërish bashkë, ndërsa ajo vetë pranoi se kishte ndërhyrë për të ndihmuar në përmirësimin e marrëdhënies së tyre.
“Në këtë moment prindërit janë bashkë. E kam ndarë edhe më parë me publikun që kjo ka ardhur edhe pas negociatave që kam bërë unë. Në një moment kuptova që problemi isha unë dhe thashë: ‘OK’”, tregoi Selin.
E pyetur nëse kjo situatë kishte qenë e rëndë emocionalisht për të, Selin pranoi se mbajtja e një përgjegjësie të tillë nuk ishte e lehtë.
“Është përgjegjësi, sepse nuk ka fëmijë që do ta shohë keq njërën apo tjetrën palë”, përfundoi Selin Bollati.




