Arjan Konomi ka reaguar sërish ashpër ndaj Top Channel dhe emisionit të humorit “Portokalli”, këtë herë pas një deklarate të Agron Llakajt lidhur me protestat studentore që po zhvillohen në Tiranë.
Përmes një videoje të publikuar sot në Instagram, Konomi ka akuzuar televizionin dhe emisionin se kanë ndikuar drejtpërdrejt në nisjen e revoltës studentore, duke iu referuar një skeçi të transmetuar më 16 tetor.
“Dje në darkë ishte Portokallia. Kush e pa? Se unë isha në protestë. Po s’e ka parë njeri, se asnjë publik në sallë s’kishte”, shprehet ai në nisje të videos, duke ironizuar audiencën e emisionit.
Sipas Konomit, skeçi i transmetuar më 16 tetor ka qenë një nga faktorët që kanë nxitur reagimin e studentëve dhe protestat që pasuan. Ai ka përdorur tone të ashpra ndaj televizionit, duke e akuzuar për mënyrën se si është përpjekur të justifikojë situatën pas kritikave të marra.
“Top Channel bën atë që thotë një shprehje popullore: U përpoq të lajë mutin me shurrë dje. Pasi u bë shkaktar skeçi i Portokallisë dhe Top Channel që në 16 tetor shkaktuan lindjen e kësaj revolte studentore në Shqipëri. Top Channel dhe Portokallia ishin shkaktarët kryesorë që e ndezën këtë”, deklaron ai.
Konomi pretendon se protestat nisën menjëherë pas transmetimit të skeçit, ndërsa kritikon televizionin për faktin se, sipas tij, nuk ka kërkuar falje për përmbajtjen e transmetuar.
“Skeçi ishte në 16 tetor, sot jemi në ditën e 13-të të protestës. Protesta nisi menjëherë pas atij transmetimi. As falje s’kanë kërkuar. U përpoqën ta shpjegonin që ishte satirë”, shton ai.
Në vijim të reagimit, Konomi ka publikuar edhe një fragment nga episodi i fundit i “Portokalli”, ku Agron Llakaj iu drejtua studentëve me thirrjen që të mos dëmtonin Tiranën gjatë protestave. Në fjalën e tij, aktori argumentonte se hapësirat dhe pasuria publike u përkasin qytetarëve dhe duhen ruajtur.
Megjithatë, kjo deklaratë ka nxitur një tjetër kritikë nga Konomi, i cili e ka cilësuar fjalimin si një përpjekje për të ndikuar në perceptimin e publikut për protestat studentore.
Për të mbështetur qëndrimin e tij, ai ka bërë edhe një krahasim me periudhën e diktaturës së Enver Hoxhës, kur, sipas tij, qytetarëve u thuhej se gjithçka ishte pronë e popullit, ndërsa realiteti ishte krejt ndryshe.
“Përsëri po manipulohet situata nëpërmjet këtij fjalimi, që dhe vetë Agroni nuk besonte në ato që thoshte”, përfundon Konomi.
Deri më tani, pretendimet e Arjan Konomit për rolin e skeçit në nisjen e protestave mbeten qëndrimi i tij, ndërsa reagimi ka rikthyer në vëmendje debatet mbi kufijtë e satirës dhe ndikimin e medias në çështjet shoqërore e politike.




