Reperi Stresi ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e protestave kundër qeverisë së Edi Ramës, duke shprehur hapur zhgënjimin e tij për mënyrën se si po organizohen dhe zhvillohen tubimet.
Përmes një postimi në Instagram, artisti ka bërë të ditur se ka vendosur të largohet nga protestat, pasi nuk dëshiron të vazhdojë të marrë pjesë në një lëvizje që, sipas tij, nuk po sjell ndryshimin e synuar.
“Byeeeeeeeeee. Kokë turku nuk bohem. Nuk du me e rrëzu Ramën. E gzofshi! Sapo të largohem sonte, kismet nesër jua shpjegoj pse s’dun me e rrëzu Edi Ramën. Dhe jua shpjegoj pikë për pikë”, shkruan Stresi.
Reperi ka vijuar me kritikat ndaj protestave të përditshme, duke argumentuar se pjesëmarrja e vazhdueshme në tubime, pa një strategji konkrete, nuk është e mjaftueshme për të sjellë ndryshim politik.
“Nuk erdha me u rraskapit çdo ditë pa lidhje, sepse shteti është shtet dhe shteti do kryengritje me u rrëzu, ndryshe përditë ai fuqizohet dhe ty të shkatërron si popull. E të shtyp e të dhunon”, shprehet ai.

Stresi via Instagram Story
Nga reagimi i tij duket se pakënaqësia e Stresit lidhet me mënyrën e organizimit dhe strategjinë e protestave. Ndërkohë, artisti ka paralajmëruar se do të japë më shumë shpjegime për vendimin e tij, duke lënë të kuptohet se do të publikojë një tjetër reagim.




