Monika Lubonja ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale me një publikim të ri, i cili duket se përmban një mesazh të koduar për të gjithë ata që kanë komentuar dhe gjykuar së fundmi për të.
Aktorja ka ndarë në Instagram një video ku shfaqet e buzëqeshur, ndërsa në ekran shfaqet një dialog i shkurtër, por mjaft domethënës:
“A dëgjove çfarë thanë për ty?”
“Jo, unë nuk e flas gjuhën e tyre.”
Ajo që e bën edhe më ironik publikimin është audioja e zgjedhur, e cila shoqërohet me lehje qensh, duke i dhënë videos një tjetër dimension thumbues. Edhe pse Monika nuk përmend emra konkretë, mesazhi duket si një përgjigje ndaj personave që kanë drejtuar kritika dhe komente ndaj saj.
Ky publikim vjen në një periudhë kur aktorja është përballur me reagime të shumta në rrjet, pas polemikave që shkaktuan publikimi i disa materialeve intime.
Në reagimin e saj të datës 6 tetor, Lubonja kishte deklaruar se nuk kishte pasur dijeni për filmimet dhe se nuk kishte dhënë pëlqimin për regjistrimin apo shpërndarjen e tyre. Ajo bëri gjithashtu të ditur se kishte ndërmarrë hapa ligjorë për këtë çështje.
Megjithatë, në videon e fundit ajo nuk jep asnjë shpjegim të drejtpërdrejtë dhe as nuk i referohet konkretisht ngjarjeve të fundit.
Me këtë mesazh ironik, Monika Lubonja duket se ka zgjedhur t'u përgjigjet kritikëve në mënyrën e saj, pa hyrë në debate apo përballje të drejtpërdrejta.




