Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Bia Khalifa, ka bërë një rrëfim të fortë në rrjetet sociale, ku ka folur hapur për marrëdhëniet e vështira me familjarët dhe situata që, sipas saj, e kanë shoqëruar prej vitesh.
Përmes disa postimeve në InstaStory, ajo ka ndarë me ndjekësit një episod që ndodhi në orët e para të mëngjesit, duke e cilësuar si një shembull të sjelljeve që pretendon se ka përjetuar vazhdimisht.
“Nëse ndonjëherë keni pyetur veten për çfarë kam folur kur kam treguar për disa situata në familjen time, ja një shembull i vogël nga realiteti im”, shkroi ajo.

Bia Khalifa via Instagram Story
Më tej, Bia tregoi se pas një debati të zhvilluar një ditë më parë lidhur me kërkesat për ndihmë financiare, situata u tensionua edhe më shumë. Sipas saj, prej vitesh i janë kërkuar shuma të konsiderueshme parash, ndërsa ajo ka theksuar se është e gatshme të ndihmojë, por jo nëse ndihet e sulmuar apo e manipuluar.
Në reagimin e saj, ish-banorja e BBVK u ndal edhe te format e ndryshme të abuzimit emocional, duke theksuar se jo gjithmonë ato shfaqen në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Njerëzit shpesh mendojnë se abuzimi duket gjithmonë si britma, kërcënime ose dhunë. Ndonjëherë vjen në forma më të heshtura dhe më të vështira për t’u shpjeguar”, u shpreh ajo.
Në një tjetër postim, Bia Khalifa foli edhe për mungesën e mirënjohjes nga ana e familjarëve, duke theksuar se banesa ku jeton është siguruar prej saj dhe se, pavarësisht mbështetjes financiare ndër vite, vazhdon të përballet me situata që i konsideron të padrejta.
Deklaratat e saj kanë ngjallur shumë reagime dhe diskutime online, duke rikthyer në vëmendje rrëfimet e mëparshme të Bia Khalifës për raportet e vështira familjare dhe sfidat personale me të cilat thotë se është përballur.




