Rozana Radi ka reaguar publikisht pasi emri i saj është përmendur në disa aludime dhe pretendime që po qarkullojnë në rrjetet sociale në lidhje me çështjen e kompozitorit Adi Hila.
Përmes një deklarate të publikuar në Instagram, këngëtarja ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me videot që po përfliten dhe ka paralajmëruar se do t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë nëse, sipas saj, vazhdojnë pretendimet që cenojnë imazhin dhe reputacionin e saj.
“Po përpiqeni në të gjitha mënyrat të bëni pis emrin e shumë njerëzve. Për mua, kjo mbaron këtu”, shkruan Rozana.
Artistja ka qenë e prerë në reagimin e saj lidhur me materialet që po qarkullojnë.
“Theksoj qartë: unë nuk jam në asnjë prej videove të publikuara dhe nuk kam asnjë lidhje me videon që pretendohet”, deklaron ajo.
Rozana ka përmendur gjithashtu familjen, partnerin dhe jetën e saj private, duke kërkuar që emri i saj të mos përdoret apo të njolloset pa prova.
Në reagimin e saj, këngëtarja u ka bërë thirrje edhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos shpërndajnë materiale apo pretendime të paverifikuara që mund të dëmtojnë personat e përmendur.
“Nëse kjo vazhdon, do të ndjek të gjitha procedurat ligjore që më takojnë. Nga ky moment, le të flasin faktet dhe drejtësia”, përfundon Rozana Radi.
Deri tani, këngëtarja ka mohuar publikisht çdo lidhje me materialet që po qarkullojnë, ndërsa pretendimet e përmendura në rrjet mbeten të pakonfirmuara.




