Duket se historia mes Ori Nebiajt dhe Arbana Osmanit është ende larg fundit! Vetëm pak ditë pasi shprehu publikisht zhgënjimin ndaj ish-koleges së saj, moderatorja ka folur sërish për këtë temë, duke dhënë një përgjigje që ka tërhequr vëmendjen.
E ftuar në Ora News, Ori është pyetur drejtpërdrejt për raportin me Arbanën dhe deklaratat e fundit që shkaktuan diskutime në rrjetet sociale.
“Me Arbana Osmanin çfarë pate?”, ishte pyetja që iu drejtua moderatores.
Këtë herë, Nebiaj zgjodhi të mos hynte në detaje rreth asaj që ka ndodhur mes tyre, por theksoi se nuk ka asgjë personale me askënd. Ajo shpjegoi se është e lirë të shprehë mendimet e saj, pavarësisht fushës për të cilën bëhet fjalë.
“Nuk kam asnjë gjë me askënd, me thënë të drejtën. Unë thjesht, ashtu siç i shpreh mendimet e mia në politikë, ashtu i shpreh edhe në çdo fushë ku kam pasur mundësinë të rritem profesionalisht, siç është edhe media. Dhe nuk është aspak keq të mësohemi të gjithë me faktin që dikush mund të mendojë ndryshe”, u shpreh ajo.
Por nga nisi e gjithë kjo histori?
Gjithçka u bë publike gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”, ku gjatë një bisede me Jonida Maliqin, Ori u pyet se cili personazh i njohur mendonte se shfaqej ndryshe në ekran nga karakteri që kishte në jetën e përditshme.
Përgjigjja e saj ishte e menjëhershme: Arbana Osmani.
“Një nga personazhet e medias që realisht për mua është tjetër gjë në ekran dhe është tjetër gjë si individ, është Arbana Osmani, që më ka zhgënjyer”, deklaroi moderatorja.
Pas kësaj, Arbana publikoi në Instagram një mesazh që u interpretua nga ndjekësit si një kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Orit, edhe pse nuk përmendi drejtpërdrejt emra.
“Njoh njerëz që më mbajnë mëri për gjëra që ata vetë më kanë bërë mua”, shkruhej në postimin e saj.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që dy moderatoret përfliten për një marrëdhënie të krisur. Edhe në korrik, gjatë një interviste në “Kampionët e Botës” në TV Klan, Ori kishte treguar se nuk komunikonte më me Arbanën, pasi ishte pyetur për personat që kishte larguar nga jeta e saj.
Pavarësisht deklaratës së fundit, Ori nuk dha asnjë shpjegim konkret për arsyet e zhgënjimit të saj. Kështu, misteri rreth krisjes së raportit me Arbana Osmanin vazhdon të mbetet i pazbardhur, ndërsa publiku pret të mësojë nëse njëra prej tyre do të vendosë të tregojë më shumë për atë që ka ndodhur.




