Kanita duket se ka fituar jo vetëm zemrën e Besar Metës, por edhe mbështetjen e familjes së tij. Këtë herë, vëmendjen e ka tërhequr një gjest i Monika Kryemadhit, e cila ka treguar publikisht se ndjek dhe përkrah karrierën muzikore të artistes nga Shkupi.
Këngëtarja ka publikuar së fundmi një fragment nga projekti i saj më i ri muzikor, ndërsa postimi nuk ka kaluar pa u vënë re nga vjehrra e saj e ardhshme. Monika Kryemadhi e ka shpërndarë atë në Instagram Story, duke i dhënë kështu një përkrahje publike Kanitës.

Monika Kryemadhi via Instagram Story
Por marrëdhënia e tyre nuk është komentuar për herë të parë. Prej kohësh, artistja është në një lidhje me Besar Metën, djalin e Monika Kryemadhit dhe ish-Presidentit Ilir Meta. Çifti ka preferuar ta mbajë romancën larg ekspozimit të tepërt mediatik, megjithatë lidhja e tyre është përfolur vazhdimisht.
Madje, ka qenë vetë Monika Kryemadhi ajo që ka dhënë më herët detaje për partneren e të birit. Gjatë një bisede në një panel, ajo tregoi se Besari ishte në një lidhje me një artiste nga Shkupi, duke lënë të kuptohej se bëhej fjalë për një marrëdhënie serioze.
Kryemadhi ka folur edhe me vlerësime për zgjedhjen e djalit të saj, ndërsa duket se Kanita ka krijuar një raport të afërt me familjen e partnerit. Sipas raportimeve të mëparshme, çifti e ndan jetën mes Tiranës dhe Shkupit.
Ndërkohë, Kanita vazhdon të jetë e angazhuar me muzikën dhe projektet e reja, ndërsa këtë herë ka marrë edhe një tjetër mbështetje të veçantë: atë të Monika Kryemadhit, e cila nuk ngurroi ta promovonte publikisht krijimin e saj më të fundit.




