"Më la pa frymë..."/Grida Duma thyen heshtjen për zërat me Lori Hoxhën...

"Më la pa frymë..."/Grida Duma thyen heshtjen për zërat me Lori Hoxhën...

Moderatorja e Top Story, Grida Duma, ka folur për herë të parë pas aludimeve që qarkulluan së fundmi për një përplasje me Lori Hoxhën, duke sqaruar se kalimi i saj nga politika në media erdhi si rezultat i një propozimi që e konsideron një “bekim”.

E ftuar në podcast-in “UET Cast”, Duma tregoi se vendimi për të lënë mandatin dhe për t’iu bashkuar Top Channel ishte një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj.

“Nuk isha e detyruar. Asgjë nuk është tashmë e detyruar në jetën time. Ishte një propozim që më la pa frymë. CEO e Top Channel po rikonceptonte mënyrën e drejtimit të televizionit dhe, kur e dëgjova ofertën, u shtanga. Besoj se ishte një shenjë dhe erdhi në momentin e duhur,” u shpreh ajo.

Duke folur për largimin nga politika, Duma u shpreh kritike ndaj gjendjes së Partisë Demokratike, duke thënë se kishte humbur besimin te mënyra se si po funksiononte forca politike.

“Për mua, në ato çaste humbi plotësisht të bërit politikë. Fragmentarizimi, mungesa e kohezionit dhe konfliktet e vazhdueshme brenda Partisë Demokratike linin shumë për të dëshiruar,” deklaroi moderatorja.

Ajo zbuloi se fillimisht kishte menduar të kombinonte angazhimin në media me politikën, por më pas vendosi të zgjidhte vetëm një rrugë.

“Njeriu duhet të ketë guxim të bëjë një zgjedhje. Besoj se unë bëra zgjedhjen e duhur,” tha Duma.

Deklaratat e saj vijnë vetëm pak ditë pasi në rrjet qarkulluan spekulime për një përplasje të mundshme me Lori Hoxhën dhe një largim të mundshëm nga Top Channel. Megjithatë, nga rrëfimi i saj nuk rezulton të ketë asnjë konfirmim për këto pretendime. Përkundrazi, Duma e përshkroi ofertën për t'iu bashkuar televizionit si një moment vendimtar dhe pozitiv në jetën e saj.