Luiz Ejlli i ka kërkuar publikisht falje këngëtares Beatrix Ramosaj gjatë puntatës së së premtes të emisionit “Live me Luizin”, duke rikthyer në vëmendje një deklaratë të vjetër që kishte bërë për të në kohën kur ajo ishte konkurrente në “Big Brother VIP Albania 1”.
Në studio ishte e ftuar Albërie Hadërgjonaj, tezja e Beatrixës. Gjatë bisedës, Luizi tentoi ta telefononte drejtpërdrejt këngëtaren, por ajo nuk iu përgjigj telefonatës.
Më pas, Albëria kontaktoi motrën e saj, Antigona Ramosaj, nënën e Beatrixës, me të cilën moderatori zhvilloi një bisedë telefonike.
“Antigon, dua të të them vetëm dy gjëra. E para, ku mund ta gjejmë Beatrixën?”, e pyeti Luizi.
“Beatrixa është në Miami për momentin, po merret me disa projekte. I ka bërë shumë mirë Amerika”, u përgjigj Antigona.
Gjatë bisedës, Luiz Ejlli i kërkoi falje Beatrixës për një batutë të bërë më herët, ku kishte përmendur edhe bashkëshorten e tij, Kiara Titon.
“Unë kam bërë një batutë me Beatrixën, ku ka përmendur edhe Kiarën time. ‘E shkathët si Kiara, e mençur si Beatrixi’. Nëse është mërzitur, sinqerisht i kërkoj falje”, u shpreh ai.
Moderatori vijoi me fjalë vlerësuese për këngëtaren, duke i kërkuar nënës së saj që t’i përcillte një përqafim nga ai dhe Kiara.
“Të duam shumë. Je shumë vajzë e mirë. A mundesh që kur të vijë nga Miami, t’i japësh Beatrixës një përqafim të madh nga unë dhe Kiara?”, tha Luizi.
Megjithatë, kjo nuk ishte hera e parë që Luizi komentonte publikisht Beatrix Ramosajn. Rreth pesë vite më parë, kur këngëtarja ishte pjesë e edicionit të parë të “Big Brother VIP Albania”, ai kishte reaguar në rrjetet sociale për banorët e shtëpisë.
Në atë kohë, Luizi kishte shkruar një koment ironik për Beatrixën, duke iu referuar përfundimit të spektaklit:
“Do e shtyjnë deri sa Beatrix të mësojë abetaren.”
Krahasimi mes deklaratës së vjetër dhe kërkimfaljes së fundit ka rikthyer në vëmendje qëndrimin e mëparshëm të këngëtarit ndaj ish-banores.
Tashmë, me kërkim faljen publike, Luizi duket se ka dashur të sqarojë situatën dhe të lërë pas komentet e së kaluarës.




