E ftuar në studion e Wake Up, Rabea Shahini, bashkëshortja e Miri, ka folur hapur për marrëdhënien e tyre dhe për rrugëtimin e tij në Big Brother VIP Albania 5.
Gjatë intervistës, ajo ka komentuar zërat që kanë qarkulluar në media, duke mohuar kategorikisht çdo aludim për një marrëdhënie jo të zakonshme apo ndarje mes tyre. Sipas saj, shumë nga ato që janë thënë nuk qëndrojnë dhe nuk e kanë ndikuar emocionalisht.
Rabea ndaloi veçanërisht te pretendimet se Miri është martuar për përfitime dokumentesh, duke i hedhur poshtë këto zëra. Ajo theksoi se ai ende nuk ka marrë nënshtetësi të huaj, pavarësisht se ka pasur mundësi, pasi zgjedh të vazhdojë jetën dhe karrierën në Shqipëri.
Sipas saj, arsyeja pse ata nuk jetojnë vazhdimisht në të njëjtin vend lidhet me angazhimet profesionale, pasi ajo punon në Gjermani, ndërsa Miri ka ndërtuar karrierën e tij në vend. Kjo situatë, siç u shpreh ajo, është një sakrificë për të dy, veçanërisht për Mirin për shkak të lidhjes së fortë që ka me vajzën e tij.
Duke folur për raportin baba-bijë, Rabea Shahini tregoi se ata ndajnë një lidhje shumë të ngushtë dhe kanë shumë zakone të përbashkëta, nga aktivitetet e përditshme deri te mënyra si kalojnë kohën bashkë.
Madje, ajo ndau edhe një moment të ëmbël, duke treguar se i ka gjetur të dy duke fjetur në të njëjtin pozicion, gjë që e përshkroi si një detaj shumë domethënës për afrimitetin e tyre.




