Pesë vite pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, ku humbën jetën 10 bashkatdhetarë, dhimbja mbetet ende e freskët për familjet që humbën më të dashurit e tyre.
Në përvjetorin e pestë të tragjedisë, Elijona ka prekur zemrat e ndjekësve me një dedikim emocional për nënën dhe motrën e saj, Linda, të cilat humbën jetën në atë aksident fatal.
Kur ndodhi tragjedia, Elijona ishte vetëm 14 vjeçe. Sot, në moshën 19-vjeçare, ajo ndodhet pikërisht në të njëjtën moshë që ishte motra e saj kur jeta iu ndërpre në mënyrë tragjike.
“Isha vetëm 14 vjeçe kur ju humba. Sot jam 19 vjeçe… po aq sa ishe ti Linda, kur jeta jote u ndërpre. Sot e kuptoj edhe më shumë sa e re ishe. Ti kishe vetëm 19 vjeçe, me aq shumë ëndrra, plane dhe momente që ende nuk i kishe jetuar”, shkruan ajo.
Në mesazhin e saj, Elijona rrëfen se malli dhe kujtimet për nënën e motrën vazhdojnë t’i japin forcë për të ecur përpara. Ajo thekson se çdo arritje dhe sakrificë ua dedikon atyre, me shpresën se do t’i bënte krenare.
Në fund të dedikimit, ajo ka kujtuar edhe tetë viktimat e tjera të aksidentit, duke shprehur mbështetje dhe solidaritet për të gjitha familjet që vazhdojnë të jetojnë me mungesën e njerëzve të tyre të dashur.
Edhe pas pesë vitesh, tragjedia e Slavonski Brodit mbetet një nga ngjarjet më të dhimbshme për shqiptarët, ndërsa mesazhi prekës i Elijonës riktheu në vëmendje dhimbjen, kujtimin dhe dashurinë që koha nuk arrin ta zbehë.




