Mbrëmja e sotme në spektaklin “Post Big Brother VIP” u karakterizua nga tensione të forta dhe një përballje e drejtpërdrejtë mes ish-finalistit Rogert dhe moderatorit Ledion Liço.
Situata u ndez për shkak të një komenti që moderatori kishte bërë gjatë natës finale, i cili duket se nuk është pritur mirë nga ish-banori.
Gjatë momentit të eliminimit si finalisti i katërt, Rogerti mori një çek prej 10 mijë eurosh, ndërsa Ledioni i tha: “Kujdes si i harxhon”. Kjo frazë u interpretua nga Rogerti si personale, çka e shtyu atë të largohej nga studio pa qëndruar deri në fund të spektaklit.
Në puntatën e sotme, ai vendosi të përballet publikisht me moderatorin, duke ngritur akuza për pabarazi, qëndrim tendencioz dhe përpjekje për t’i dëmtuar imazhin:
“Më acarove ti që më the ‘kujdes me lekët’. Pse incentivon që do i harxhoj me bixhoz? Ti ke qenë njeriu që nuk ke dashur të më shikosh në finale me sy. Ti ke dhënë më shumë opinione se opinionistët që mos të më çoje në finale. Nuk më ke dashur njësoj si të gjithë. Kur dola erdha të përqafova, se ti as dorën s’doje të ma jepje!”
Nga ana tjetër, Ledion Liço reagoi me qetësi, duke i hedhur poshtë akuzat, por duke dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të ftohtë që la studion në heshtje:
“Për persona si puna jote do jap opinione. Nëse do ishte për mua, një person si puna jote në botëkuptimin tim, nuk do të ekzistonte.”
Kjo deklaratë e fortë ka ndezur edhe më shumë rrjetet sociale, duke treguar se përplasja mes tyre mbetet e thellë dhe larg çdo pajtimi televiziv, edhe pas përfundimit të formatit.




